Friday, March 19, 2010


Nga Mustafa Nano

Kur unë para ditësh shfaqesha i sigurt se outing-u i Klodit nga Lezha, i bërë nga brenda shtëpisë “Big Brother”, ishte një shenjë që fliste në të mirë të sofistikimit kulturor të shoqërisë shqiptare, një mikja ime nuk u mat dy herë për t’ma shfryrë entuziazmin. “Ia fut kot”, më tha, “ti s’e ke idenë se ç’mendojnë e ç’thonë shqiptarët për gay-të”. Në atë moment nuk i dhashë të drejtë. Por nuk vonoi shumë, dhe gazetat e televizionet dhanë lajmin mbi një protestë të banorëve të Lezhës, të cilët kishin dalë në rrugë për të marrë distancë nga Klodi e për t’i treguar botës se qyteti i tyre nuk ka lidhje fare me të.

Ishte protesta më surreale që mund të më kenë zënë sytë ndonjëherë. Ata djem të rinj, të veshur, të qethur e të mbajtur alla frënga (më alla frënga se aq s’i bën më nëna) ishin një turmë e frikshme homofobike. Ishin pak, por kjo s’është domethënëse. Janë të gjitha gjasat që, edhe ata që s’u bënë tok me protestuesit në rrugët e qytetit, ta shohin këtë punë po njësoj. Ndryshe, do të kishim parë e dëgjuar që ndokush të nyjëtonte këto ditë ndonjë frazë mospajtimi me këtë gjest të rëndë homofobik. Kush? Nuk e di, një njeri sy e mendje çelët, që gjithë këto vite nuk duhet të ketë hequr shumë për të kuptuar dobare, se në këtë botë asnjë birbo (qoftë ky i fundit dhe i shoqëruar apo mbështetur nga një milion, dy milionë, tre milionë birbo të tjerë) nuk mund t’i japë të drejtë vetes të ndalojë dikë tjetër ta jetojë jetën në përputhje me dispozicionin e vet natyral (apo të fituar/kërkuar në kohë për shkak të edukimit/formimit).

Protestuesit dolën dhe njëherë tjetër para dy ditësh. Këtë herë ishin më të shumtë. Si gjithmonë, veç meshkuj, aq sa ndonjë i huaj, po të ndodhej aty rastësisht, do t’i kish marrë vetë protestuesit për homoseksualë që kërkojnë të drejtat e tyre. Ndërsa në fakt kërkonin përjashtimin e një gay-i nga programi “Big Brother”, dhe theksonin faktin se – çfarë meraku tribal! – ai në të vërtetë nuk është nga Lezha. “Është i ardhur”, thoshin. Pashë disa fotografi të protestuesve, vërejta me kujdes pamjet e tyre, dhe aty për aty zura të mendoja se ata nuk shtiren, se ata janë të sinqertë, se ata ndihen njimend të lënduar në moralin e tyre personal e në nderin e tyre kolektiv. Me këtë nuk është se po mobilizohem empathikisht për t’i mirëkuptuar (nuk kam fuqi të mirëkuptoj qenie homofobike). Jo, me këtë thjesht dua të denoncoj një realitet.

Duhet të dalë dikush atje, dreqi ta hajë, e t’u thotë se nuk është turp të jesh si Klodi. Është turp të protestosh kundër Klodit. Është akoma më turp kur mendon se mes atyre protestuesve mund të ketë tutorë prostitutash, vjedhës votash, apo – thënë në mënyrë të rrumbullakosur – njerëz që janë të gatshëm të ta numërojnë në lule të ballit thjesht për faktin që ty, krejt padashje, mund të të kryqëzohet shikimi me shikimin e tyre. Është turp më në fund kur mendon se kundër këtyre të fundit nuk proteston askush.

No comments:

Post a Comment